Kur merr detyrën e folësit për një libër-monografi të një themelate shëndetësore, aty për aty të dalin parasysh numri i shumë i madh i ambulancave, klinikave e poliklinikave të shëndetësisë, që tashmë shtrihen në të gjitha qytetet, vendbanimet e besa edhe lagjet e qytetit tonë.
Pra, janë aq të shumta, janë aq të njëtrajtshme dhe janë aq identike-sa të thuash: çka do të them unë për këto themelta shëndetësore, cila është njëra prej karakteristikave që e bëjnë të veçantë njërën prej tyre.
Por, në rastet tona, tash kur flasim për poliklinikën ,,GALAXY,, kjo dilemë bie poshtë, nuk krijon asnjë shqetësim, sepse prej të gjitha simotrave të saj në vend dhe në rajon, “Galaxy” dallohet – e dallohet me disa veçori që e bëjnë të jetë e njohur, që e bëjnë të jetë e veçantë, që e bëjnë të jetë unike, që e bëjnë të jetë e respektueshme, që e bëjnë të këtë BIOGRAFI me çka mund të prezantohet para opinionit, madje me një kredibilitet për lakmi.
Kjo poliklinikë nuk ka pikë prej qiellit. Është rezultat i një gjakimi familjar, i një përcaktimi kombëtar të një familjeje që ka pasur një dashuri e synim të qartë, një synimi që nuk krijohet as brenda çastit, as brenda vitit, por ndërtohet si vetëdije e brezave.
Me këtë rast dua të përqendroj vëmendjen tuaj në elementin sfidues të jetës në tërësi, e në raport me pushtetin – në veçanti. Imagjinojeni një familje që kurrë, brez pas brezi, nuk ka pas pjesëtar të saj që të kenë punuar për RROGË. Ky përcaktim, për mua ka vlerë të veçantë. Sepse të punosh për dikënd tjetër, të shprehem me fjalorin popullor, të marrësh rrogë – në përkthim të gjuhës së përditshmërisë do të thotë: të jesh shërbëtor, rrogë- rrogëtar i dikujt. Ndërkaq, të punosh në formën tjetër, të jesh PRONAR, të jesh zot i vetvetes dhe familjes tënde, ta sfidosh pushtetin dhe realitetin, të pranosh rrezikun e rënieve dhe ngritjeve, por TË JESH VETVETJA, plotësisht i pavarur, i lirë, duke pranuar përgjegjësinë për vete dhe të tjerët që të ndihmojnë në ecjen tënde, është më shumë se sfidë, më shumë se fitues në beteja, është jetë ME HAPA VERTIKAL.
Është shumë e njohur se populli asnjëherë, në asnjë situatë, nuk e tronditë shoqërinë, që të sjellë kthesa vendimtare. Kthesat dhe përparimet në shoqëri i bëjnë individët. Individët e fortë, të qëndrueshëm e të vendosur në qëllimin e tyre – janë si lokomotivat që e vejnë në lëvizje tërë kompozicionin e quajtur shoqëri. Në një Amerikë të fuqishme, me ekonominë më dinamike në botë, asnjëherë nuk do të takoni firma me emërtimet patetike si “Përparimi”, “Ardhmëria”, “Progresi” e të tjera, por do të takoni firma të fuqishme që mbajnë emrat e individëve – të individëve themelues të këtyre firmave, si Ford, Dagllas, Xhonson e të tjera, sepse individët e pavarur, vizionarët e sigurt në sukses, që i themeluan këto firma me qindra mijëra punëtorë – ata ishin individ të fortë, ishin kreatorë dhe personalitete që nuk lejuan të jenë të varur nga të ardhurat e quajtura RROGË, por vendosën që ta ndërtojnë perandorinë personale ku ata do të jenë PADRONË, pra pronar të plotë.
Momenti tjetër, që më tërheq dhe më thotë ta kërkojë vëmendjen tuaj është SINTEZA mes dy gjerave, në shikim të parë – diametralisht të kundërta: njëra quhet PROFESION dhe tjetra MISION.
Kjo është veçantia kryesore e Poliklinikës “Galaxy”.
Të kthehemi një hap prapa dhe të shohim trashëgiminë tonë, pikërisht nga lëmia e medicinës zyrtare. A ju kujtohet brezi i kolosëve të medicinës shqiptare që punuan këtu në Kosovë, këtu në Prishtinë, si Dr Ali Sokoli, si Dr, Xheladin Deda, Dr. Talat Pallaska, Dr. Izedin Osmani e shumë e shumë emra të të tjerë deri te brezi më i ri i Dr Shpejtim Robajt, që sot i kujtojmë me respekt.
Pse i kujtojmë me respekt dhe pse e merituan të jenë të nderuar e të respektuar? Për një arsye fare të thjeshtë: përcaktimin e tyre profesional nuk e ngurtësuan vetëm brenda kornizave të ngushta profesionale, por këtij përcaktimi human e të shenjtë ia shtuan paradigmën e fuqishme që quhet MISION dhe kështu e integruan më të mirën e profesionit përbrenda më të mirës njerëzore dhe, natyrisht, rezultati final doli me një vulë të fortë, që quhet e ndërtohet si HISTORI, si dashuri, si krenari profesionale dhe kombëtare e një kohe që nuk do të harrohet kurrë.
Në këtë prizëm e kam parë dhe e shohë funksionin e Poliklinkës “Galaxy”, të cilën para jush sot e prezanton Monografia me të gjitha të dhënat që flasin qartë: cila ishte kjo poliklinikë, cili ishte funksioni i saj në ditët më të vështira të historisë sonë të re, cilat ishin çmimoret e shërbimeve, kush ishte hallkë e zingjirit të mrekullueshëm profesional, cilat ishin vlerësimet e njerëzve që gjetën mbështetje në këtë themelatë, çfarë janë vlerësimet e njerëzve dhe personaliteteve me ndikim në kulturën dhe polikën tonë kombëtare, cila është pasqyra e plotë që e prezenton para opinionit?… Dhe të gjitha, që gjenden brenda këtij libri me kaq shumë të dhënë e dëshmi dokumentare, janë vetëm NJË PJESË e historikut të bujshëm të një themelate shëndetësore që, sot, me krenari mund të shpaloset para të gjithëve dhe të thuhet: ky është shembulli, ky është modeli qysh arrihet suksesi dhe respekti kur bëhet SINTEZA e thjeshtë dhe domethënëse e PROFESIONIT DHE MISIONIT në punën e përditshme.
T’iu them në fund, në cilësinë e vrojtuesit dhe analizuesit të këtyre fenomeneve, mua personalisht, më bën nder mundësia, që të flas për ata që me vizion të qartë, me dashuri të vërtetë njerëzore, me përkushtim të sinqertë shndërrohen në pika referimi për ata që do vijnë edhe sot e sidomos – nesër.
Daut Demaku